Lushnje, prag festash; Fondacioni thirje për gjak.

Fondacioni Fëmijët Shqiptarë , ashtu siç e ka bërë traditë tashmë, ka qënë në prag të festave të fundvitit pranë fëmijëve talasemikë në Qëndrën e Hemoglobinopative në Lushnje. Dr.Liri Berisha dhe antëarja e bordit te fondacionit Dr.Eleni Anastasi, u takuan me prindërit dhe familjarët e fëmijeve si dhe me mjekët e qëndrës së transfuzionit të gjakut për tu njohur me gjëndjen e tyre shëndetësore, nevojat si dhe për të përcjellë urimet dhe dhuratat e përgatitura enkas nga Fondacionit për ta. Dr.Liri Berisha apeloi për sa më shumë dhurime vullnetare të gjakut pasi për fëmijët kjo do të thotë jetë.

“Do të doja të bëja një thirrje , një apel, për të gjithë qytetarët e Lushnjes – dhuroni Gjak, dhuroni si ta keni mundësinë, sado pak, sepse për juve dhurimi i gjakut është një mirësi ndërsa për fëmijët që do të dhuroni, është një jetë. Çdo vit që vij ju shikoj më të rritur , më të pjekur dhe mbi të gjitha më të shëndetshëm dhe kjo është një përpjekje që bëjnë familjet tuaja dhe mjekët këtu në spitalin e Lushnjes”-u shpreh Dr. Liri Berisha.

Onkohematologia pediatre Dr. Eleni Anastasi , duke falenderuar Fondacionin dhe mjekët që kujdesen dhe mirëmbajnë qendrën, mbështeti thirrjen për gjak pasi në spitalin pediatrik të Qendrës Universitare “Nënë Tereza” sa vjen e shtohet numri I prindërve që kërkojnë ndihmë për shkak te komplikacioneve nga mungesa e gjakut.

“Duke qënë se këto familje vijnë në Tiranë për të marrë recetën e ilaçit që përdoret për të hequr hekurin e tepërt në organizëm dhe unë herë pas here jam në kontakt me ta, shoh që kjo qëndër ka magësi në sasinë e gjakut. Prandaj mbështes thirrjen që bëri doktoresha qytetarëve për të dhuruar gjak. Të dhurojnë gjak sepse shpëtojmë një jetë. Kur dhurohet për jetën e brezit të ri, në fund të fundit kontribuojmë për mbarëvajtjen e vendit dhe ecjen përpara të tij”-u shpreh Dr. Anastasi.

Fëmijeve në fund ju shpërndanë dhuratat e përgatitura nga Fondacioni Fëmijët Shqiptarë .