“Arkitektura që shëron”

Projekti që i hap rrugë sifdës për ndërtimin e qëndrës për të rriturit me autizëm në Tiranë.

“Kush do te kujdeset për tim bir kur unë të mos jem më ?!” – Ky është mundimi dhe brenga më e madhe e përkthyesit dhe shkrimtarit të njohur Prof.Edmond Tupja për të birin e tij Gesi, I cili tashme është një djalë I rritur që vuan nga çregullimi i spektrit autik.

Ky shqetësim I pambarimtë I prof.Tupes, në fakt është I të gjithë prindërve që kanë fëmijë në spektër të cilët ende besojne se një ditë institucionet do të zgjohen e do të bëjnë diçka për përkujdesjen e tyre gjatë gjithë jetës.

Pikërisht për ti dhënë një dritë shprese të gjithë atyre familjeve, Fondacioni “Fëmijët Shqiptarë” nën drejtimin e Dr. Liri Berishës, ka vendosur ti japë prioritet zgjidhjes së kësaj problematike nëpërmjet realizimit në vitet e ardhshme të një qëndre për të rriturit autik.

Kjo sfidë ngacmoi rastësisht sedrën profesionale të studentit shqiptar për arkitekturë në Universitetin e Firences Junik Balisha , I cili pas një sërë takimesh me prindër të fëmijëve autikë dhe stafin e dy qëndrave rajonale të autizmit, e ktheu atë në një inisiativë personale. Në përfundim të studimeve ai vendosi të mbrojë temën e diplomës me ideimin dhe projektimit e një qëndre të tillë. Dhe në fakt ja doli, madje shkëlqyer. Në Korrik Juniku u diplomua ekselent në arkitekturë me temën: “Autism-Friendly Design” – “Qëndra për të rriturit autik në Tiranë” e cila u vlerësua dhe me çmimin ‘dinjitet publikimi’.

Ky projekt I cili u bë publik edhe për ne para disa javëve, është ideuar nga Juniku nën kujdesin e dy profesorëve të Universitetit të Firences të specializuar në projektimin e strukturave shëndetësore.

Ndërtesa është mbresëlënëse. Ajo ofron mundësinë e qëndrimit të përkohshëm ose të përhershëm të të rriturve autik, kur prindërit e tyre nuk do të jenë më, ose të paaftë për tu kujdesur për të dashurit e tyre. Kjo strukturë është parashikuar të shërbejë si një qëndër ditore për 20 persona dhe si një qëndër rezidenciale per 20 të tjerë (limit ky i vendosur nga normativa europiane për arsye funksionale dhe menaxheriale).

Juniku godinën e ka planifikuar si një ndërtesë shumë pranë Qëndrës Rajonale për Autizmin në Farkë me qëllim krijimin e një kampusi të vogël dhe përfitimin nga funksionet e përbashkëta. Ky projekt, ashtu siç thotë edhe Juniku, ofron një ambient terapeutik që promovon shëndetin dhe dinjitetin e personave autik. Ndërtesa është planifikuar të ketë impakt sa më minimal në mjedisin përreth ndersa struktura ka karakter familjar dhe I rri larg remineshencave të qëndrave shëndetësore. Arkitektura e ndërtesës ofron mundësinë e integrimit të këtyre personave në shoqëri; Me një kopësht të brendshëm në qëndër të ndërtesës, arkitekti ka planifikuar ambjente të përbashkëta si sallë të madhe ngrënie, një guzhinë terapeutike, një sallon dhe një salle TV si dhe një bibliotekë të vogël.

Pjesa rezidenciale është e organizuar në pesë njësi banimi, ku secila prej tyre mirëpret katër persona të rritur autik dhe një pjesëtar nga stafi. Në projektimin e banesave është patur parasysh fakti që cdo person duhet të ndihej komod, të kishte mundësi të zgjidhte aktivitetet e preferuara dhe shoqërimin me të tjerë sipas nevojave personale.Në projekt janë parashikuar dhoma gjumi teke, të pajisura me banjo personale, me qëllim që të favorizojnë asistencën e përditshme nga personeli dhe të mundësojnë personalizimin e hapësirave në bazë të nevojave specifike të gjithësecilit.

E veçanta e këtij projekti qëndron tek planifikimi I një laboratori qeramike, një super ide nga arkitekti Junik Balisha. Propozimi i një aktiviteti të tillë lidhet me traditën e zonës së Farkës në përpunimin e qeramikës dhe prodhimin e tavave të dheut. Duke dashur të shfrytëzojë eksperiencën e artizanëve të zonës, për të vazhduar traditën, por mbi të gjitha për t’ju ofruar një mundësi punësimi dhe integrimi këtyre të rinjëve me autizëm.

Është e qartë që një strukturë e tillë e vetme nuk i jep zgjidhje problemit të realitetit shqiptar, por siç thotë edhe vetë studenti për doktoraturë në arkitekturë në Universitetin e Firences Junik Balisha, mund të jetë një hap i rëndësishem në kompletimin e rrjetit të shërbimeve dedikuar personave autik.

Në përballjen me Autizmin Juniku, ndonëse i vetëdijshëm për atë çfarë përfaqëson ky spektër, zgjodhi edhe slloganin “Arkitektura që shëron”. Ai mendon se vlerat e një arkitekture pasqyrohen shumë përtej mureve të saj, ato reflektohen në jetën e personave dhe komuniteteve. Mundësia për ti bërë personat autik të ndjehen mirë, për ti bërë pjësë të kësaj bote, për të lehtësuar sadopak brengën dhe peshën e familjarëve të tyre, është ndoshta mundësia më e mirë për të shëruar një plagë të shoqërisë.