"Crregullimet e hemoglobinës, Dr Liri Berisha takim në Qipro për rritjen e ndërgjegjësimit" PDF Printo E-mail
Më 27 Janar 2010, bashkëshortja e Kryeministrit të Shqipërisë, Zj. Liri Berisha, me ftesë të Zonjës së Parë të Qipros, Znj Elsi Christofia, mori pjesë në takimin për themelimin e  “Rrethit të Personaliteteve të Shquara,” për ndërgjegjësimin e shoqërisë mbi crregullime të hemoglobinës. Takimi u mbajt në kryeqytetin e Qipros, Nicosia, dhe organizohej nga Federata Ndërkombëtare e Talasemisë. Në këtë takim ishin të pranishëm dhe e përshëndetën gjithashtu personalitete të larta nga vende të tjera si Libani, Greqia, etj. Grupit nismëtar do ti bashkohen dhe personalitete nga vende të ndryshme ku Talasemia, si një sëmundje mesdhetare, mbetet akoma nje problem serioz. Rrethi i Personaliteteve të Shquara do të ketë si objektiv kryesor mbështetjen e përpjekjeve të Federatës Ndërkombëtare të Talasemisë në rritjen e ndërgjegjësimit të çrregullimeve hemoglobinë efektive e parandalimit të tyre si dhe për ngritjen në shkallë maksimale të kujdesit ndaj pacientit. Federata Ndërkombëtare e Talasemisë prej shumë vitesh është prezente në Shqipëri duke kontribuar në mënyrë aktive si përsa i përket mbështetjes profesionale ashtu dhe duke siguruar aparatura të ndryshme mjekësore për këtë qëllim. Në fjalën e hapjes, Zonja e Parë e Qipros, ndër të tjera, përgëzoi Qeverinë Shqiptare për punën e deritanishme si dhe vlerësoi përpjekjet e saj të vazhdueshme në parandalimin dhe trajtimin e pacientëve me Talasemi. Gjatë fjalës së saj në këtë takim, Zj Berisha theksoi se: “Eshtë kaluar nga trajtimi fillestar në atë bashkëkohor: transfuzione ose hipertransfuzione, shoqëruar me eliminues të hekurit. Që nga viti 2005 shteti shqiptar rimburson 100% pacientët që marrin medikamentin Deferosirox (EXJADE), në ndryshim nga vënde të tjera që nuk e rimbursojnë atë. Ky medikament është mjaft komod për pacientin pasi ata marrin vetëm 1 tabletë nga goja para transfuzionit duke zëvëndësuar infuzionet në bark me desferal me pompë për 24 orë që ishte traumatike për pacientin”. Më pas Zj. Liri Berisha, prezantoi masat e marrë nga Qeveria Shqiptare për të rritur sasinë, sigurinë dhe cilësinë e gjakut të mbledhur, si përmirësimi i kuadrit ligjor dhe hartimi e një programi kombëtar për dhurimin vullnetar të gjakut. Në mbyllje të fjalës, Zj Berisha nënvizoi vëmëndjen e vecantë që Qeveria Shqiptare do ti kushtojë parandalimit të kësaj patologjie dhe sidomos reduktimit të lindjes së fëmijëve me talasemi, si dhe rëndësinë e bashkëpunimit me Shoqatën Shqiptare të Talasemisë dhe Organizatën Botërore të Shëndetësisë. Gjithashtu Zj. Berisha prezantoi punën e vazhdueshme që Fondacioni Fëmijët Shqiptarë ka bërë dhe do të vazhdojë në të ardhmen në drejtim të Talasemisë dhe dhurimit vullnetar të gjakut. Nismëtarët në takim vendosën që për vitin në vazhdim, ky Rreth do të drejtohet nga Zonja e Parë e Qipros, ku u vendos gjithashtu që cdo Dhjetor kjo stafetë drejtimi do të kalojë nga njëri personalitet nismëtar i një vendi në tjetrin. Gjithashtu Rrethi do të koordinohet nga Federata Ndërkombëtare e Talasemisisë me zyra qëndrore në Nicosia. Në fund të takimit, u organizua një konferencë shtypi e përbashkët, ku u lancua publikisht themelimi i Rrethit të Personaliteteve të Shquara si dhe mbështetja që do të bëjë ky Rreth për ndërgjegjësimin e shoqërisë mbi crregullime të hemoglobinës. Në kuadër të këtij takimi, pala qipriote organizoi disa aktivitete kulturore për delegacionet pjesëmarrëse, si dhe një darkë të shtruar nga Zonja e Parë e Qipros në ambjentet e Pallatit Presidencial.