Teknologjia dhe fëmijët…

Nga Spiro SAQELLARI – Specialist Komunkimi

SPIRO SAQELLARI

Jo shumë larg ne kohë, por në fillimet e shekullit që kaluam, enderrimtar me disa nofka jo të lezeteshme, do të quhej njeriu që do të guxonte të thoshte se në fund të shekullit, nga një kuti në shtëpi do të shikojmë gjithë botën; do ti binim asaj vërdallë në dy-tri orë; do ta shikonim nga mijra kilometra larg e do ishte vërtet e rrumbullaktë; lajmi do të shpërndahej për dy-tre  sekonda nga njëri cep në cepin tjetrin; me një kuti të vogël tek veshi, edhe duke shëtitur, do të flisje me kushëririn përtej oqeanit sikur ta kishe dy hapa larg.

Po edhe sot në këtë fillim shekulli, ëndërrimtar, do të të quajnë nëse do të thuash që në fund të tij, stërnipat tanë do të zgjohen në mëngjes në tokë, kafen do ta pinë në Hënë, drekën në Mars e darkën do ta hanë në Afërditë.

Teknologjia po na mahnit gjithmonë e më shumë me zhvillimin e saj. Gjithashtu, ajo po lehtëson gjithmonë e më shumë jetën tonë duke u bërë pjesë e rëndësishme e të gjithë fushave të zhvillimit të botës e të njerëzimit. Është pjesë e jetës së përditëshme.

Po fëmijët janë ata që do ta përdorin më shumë këtë teknologji moderne. Do ti gëzojnë më shumë të mirat e saj e do ta revolucionarizojnë më shumë atë. Po si po i ballafaqojmë ne fëmijët tanë me këtë teknologji që po zvëndëson kazmën e lopatën, librin edhe lapsin? Miqtë! Herë –herë edhe mamin e babin! Po i ballafaqojmë thashë më lart, por e vërteta është se po i përplasim.

 Fëmija lind në një dhomë katrore, hipën në një makinë katrore; ngjitet me një katror në katin e tij e futet përsëri në një katror ku e presin tre katrorë të rrezikshëm: televizor, kompjuter e celular.

Ja një ambient mbrëmjeje tek shtëpia e Kolit të vogël. Mami e përpirë nga seriali i radhës me revole e mustaqe, para një ekrani të stërmadh. Babi, i përpirë dhe ai afër një tastiere, pranë një ekrani më të vogël. Motra e madhe, edhe ajo e perpirë tek ekrani i vogël fare. Vetëm ai, Koli, jep e merr me një gjë që lëviz. Topin. E përplas në dysheme dhe lëshon nga një britmë të lehtë e cila shoqëroht nga tri “pusho” të forta të ardhura nga ekranet përballë. Në fund Koli dorëzohet. Mbështet kokën tek prehëri i babit. Përpihet tani dhe ai nga varavingot e zhurmat e ekraneve.

Në një shtëpi buzë detit e rrëzë pishinës…dy vëllezër, ende me bizhama, në moshën e pelivanit dhe bilbilit, në pikun e banjës, kacavirren në vend me duar e këmbë e me mimika si robotë përpara një ekrani me dy leva në duar. Më të rrallë shkëmbejnë ndonjë gjysëm fjalë e gjysëm shkelm.

Mami u mburret kolegeve në punë për mjeshtërinë e vogëlushit të saj. Ai i bën “zbor” celularit me dockat e tij të shkathëta. Dhe nuk mburret kot. Ai, vërtet, manovron me lehtësi në butonat e celularit. Po këpucët aman, ia lidh ende mami. E shetit, gjithashtu,

 Mario gollakun e ekranit duke e kapërcyer me kujdes nëpër shkallë e ruajtur për mrekulli nga flakët e dragoit, po sa i dalin shkallët e pallatit para kërkon shpejt e shpejt dorën e mamit. Mbeska e bukur, vetëm kur jepen reklamat, për të cilat “ngordh”, e hap gojën e gjyshja i fut cfarë të dojë. Ka shumë shembuj! Disa shumë të dhimbshëm! Pothuaj të gjithë fëmijët e prekur nga autizmi kanë kaluar orë të tëra përpara ekraneve.

Prindër të dashur! Fëmija që të zhvillohet do tokën, ajërin, diellin. Do “përjashta”, tjetrin dhe Ne pranë. Do shkopinj dhe gurë e jo lodra që bëjnë gjithcka vetë. Mendja e tij e bukur edhe një shkop e bën avion. Një kuti e bën raketë e bashkë me ty shetit botën. Po duhet që t`i jemi pranë. Fillimisht me lodra e lojra të thjeshta. Me kukulla që t`i veshin e zhveshin dhe jo me ato që janë veshur njëherë e mirë e nusërojnë me vështrim lozonjar. Janë disa ligje të zhvillimit që duan ajër, tokë, ujë të vërtetë. Objekte që na rrethojnë e gjëra konkrete që ngritën njerëzimin në këmbë e bënë që të shkëmbejmë me atë që kemi afër. Patjetër që ata do luajnë edhe me ekrane. Se me ata do kenë të bëjnë. Por, në fëmijëri, gjithmonë në shoqërinë e vëmëndjen tonë. Jo ti trajtojmë si gjeni, as si viktima, por si partnerë me aftësi e dëshira. Me një pedagogji të përshtatur për cdo moshë e në varësi të pjekurisë së tyre. Të mos heqim dorë nga tradicionalja, lojrat e lodrat tona. Dhe patjetër të rejat. T`i asistojmë e ndihmojmë të bëhen xhonglerë në të dya këto marifete. E ata do na e shpërblejnë, jo vetëm neve por gjithë njerëzimit duke bërë mrekullira.

Përgatiti : Spiro Saqellari